Rama: “Fëmijët e Diellës do lindin në maternitetin e Inteligjencës Artificiale!”

Kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë të pazakontë dhe njëkohësisht ironike gjatë një fjalimi ku foli për potencialin e Inteligjencës Artificiale në administratë dhe sistemin gjyqësor shqiptar.
Duke iu referuar Diella-s, ministrja e re për Inteligjencën Artificiale dhe Inovacionin, Rama tha se ajo do të sjellë ndryshime të mëdha përmes teknologjisë së avancuar, përfshirë ndërmjetësimin digjital të çështjeve civile – një reformë që synon të kursejë kohë, para dhe stres për qytetarët.
“Do t’i lindi fëmijët në maternitetin e Inteligjencës Artificiale”
“Duhet të mendojmë për ndërmjetësimin me inteligjencë artificiale të çështjeve civile. Është plotësisht e mundur që njerëzit mos të harxhojnë lek, mos harxhojnë kohë, mos harxhojnë energji dhe të mos lënë mendtë e kokës në procese të pafundme kur fare mirë mund të kalojnë në procese të ndërmjetësimit të fëmijëve që Diella do ketë së shpejti,” – u shpreh Rama.
Më tej, duke përdorur një metaforë të pazakontë, shtoi:
“Diella do t’i lindi [fëmijët] në maternitetin e Inteligjencës Artificiale.”
Përgjigje për akuzat: “Kur je hajdut, aty të rri mendja…”
Rama reagoi ashpër edhe ndaj kritikëve që kanë vënë në pikëpyetje qëllimin e krijimit të pozicionit të ministres për Inteligjencën Artificiale, duke i cilësuar këto akuza si sulme të pabaza që vijnë nga mentaliteti i “vjedhjes si profesion”.
“Diskutojnë sot si do vjedhë Diella sepse kur je hajdut, aty të rri mendja — si do vjedhë ai tjetri atë që ti do ta vjedhësh për vete, por që nuk po të bie rruga andej.”
“Si i shkon një njeriu normal mendja? Mund të ketë 1000 pyetje për Diellën, por nuk i shkon mendja si do vjedhë kjo. I shkon mendja vetëm atyre që ose kanë vjedhur, ose vjedhin, ose do vidhnin nëse do t’i jepej mundësia.”
Diella dhe Inteligjenca Artificiale: vizion apo provokim?
Posti i Diella Hoxhës si ministre për AI është parë nga disa si një hap i guximshëm drejt modernizimit të administratës, ndërsa për të tjerë mbetet një pozicion i paqartë dhe i diskutueshëm, që kërkon më shumë transparencë mbi objektivat dhe kompetencat konkrete.
Në çdo rast, Rama po e vendos Inteligjencën Artificiale në qendër të reformës digjitale, mes ironisë politike dhe premtimeve për transformim rrënjësor të shërbimeve publike.




0 Comments