Pinguini që udhëton 8 mijë kilometra çdo vit vetëm për t’u ribashkuar me shpëtimtarin e tij

Një histori e rrallë miqësie midis njeriut dhe natyrës ka prekur botën mbarë. Një pinguin Magellanic nga Amerika e Jugut udhëton çdo vit rreth 5,000 milje (8,000 km) për t’u ribashkuar me njeriun që i shpëtoi jetën.
Joao Pereira de Souza, një murator i dalë në pension dhe peshkatar me kohë të pjesshme që jeton pranë Rio de Janeiros në Brazil, gjeti disa vite më parë një pinguin të vogël, të mbuluar me naftë dhe pranë vdekjes, në plazhin e tij. Ai e pastroi, e ushqeu me peshk çdo ditë dhe i dha emrin Dindim.
Fillimisht Joao tentoi ta lëshonte në det, por pinguini refuzoi të largohej dhe qëndroi me të për plot 11 muaj. Pas rinovimit të pendëve, Dindim u zhduk – vetëm për t’u rikthyer pas disa muajsh. Që atëherë, prej më shumë se pesë vitesh, pinguini kthehet çdo qershor dhe qëndron deri në shkurt, përpara se të rikthehet në brigjet e Argjentinës e Kilit për periudhën e shumimit.
“E dua pinguinin sikur të ishte fëmija im, dhe besoj se edhe ai më do mua,” tregon Joao për Globo TV. Askush tjetër nuk guxon ta prekë Dindim, pasi ai reagon menjëherë. Por me Joao sillet si me një pjesëtar të familjes: shtrihet në prehrin e tij, lejon të lahet, ushqehet me sardele nga dora e tij dhe madje përkëdhelet si një kafshë shtëpiake.
Biologu profesor Krajewski, i cili e ka studiuar rastin, shprehet: “Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Besoj se pinguini e konsideron Joao pjesë të familjes së tij – ndoshta edhe një pinguin si vetja. Kur e sheh, tund bishtin si një qen dhe ‘honkon’ nga gëzimi.”
Historia e Joao dhe Dindim është një dëshmi e jashtëzakonshme e lidhjes që mund të krijohet mes njeriut dhe natyrës – një miqësi e vërtetë që sfidon distancën dhe kohën.




0 Comments