Serbi – Shqipëri dhe loja që s’ka të bëjë me futbollin!

Futbolli, thonë, bashkon popujt.
Serbia dhe Shqipëria – dy vende që prej shekujsh i ndan historia – sot kanë sërish mundësinë të “bashkohen” në fushën e blertë.
Tezë kjo e bukur për t’u dëgjuar, por që realiteti ballkanik e përgënjeshtron sa herë që këto dy ekipe përballen.
Për hir të drejtës, pas skandalit të ndeshjes së parë në Beograd, dy takimet pasuese të zhvilluara në Shqipëri janë administruar me kujdes, ndoshta edhe me tepri. Megjithatë, diçka kemi arritur: kemi treguar se mund të luajmë futboll pa shndërruar stadiumin në arenë politike. Tani është radha e Serbisë të tregojë nëse mund ta bëjë të njëjtën gjë.
Kujtojmë “fluturimin e famshëm” të 2014-ës
Tetori i vitit 2014. Stadiumi i Partizanit në Beograd gumëzhinte nga tensioni dhe thirrjet antishqiptare me “Ubi Siptari” që nuk ndaloi për asnje moment Përmes një kontrolli një rreptësishëm autoritetet vendase nuk lejuan asnjë simbol kombëtar shqiptar në tribunë.
Dhe papritur, mbi kokat e të gjithëve, shfaqet një dron – me flamurin e Shqipërisë së Madhe.
Kaq mjaftoi për të ndezur një reaksion zinxhir. Pas 44 minuta lojë u mbyll çdo gjë që quhej sport: huliganët serbë pushtuan fushën, dhuna shpërtheu, dhe më pas historinë e dimë të gjithë si shkoi.
UEFA, në stilin e saj “diplomatik”, ndëshkoi Shqipërinë për “braktisje të ndeshjes” – ndoshta për të mos lënduar sedrën e sëmurë të turmave që ishin kthyer në spektatorë të histerisë kolektive.
Që prej atij momenti, çdo përballje mes dy skuadrave është bërë si një takim i detyruar mes ish-partnerëve që s’e durojnë dot njëri-tjetrin, por duhet të sillen “civilizuar” para kamerave.
Nga tribuna te politika – kush e do më shumë tensionin?
Nëse dikush pret që politika të qëndrojë larg kësaj ndeshjeje, është naiv. Për Beogradin, çdo duel me Shqipërinë është “çështje sovraniteti”. Në mes – një top që, për fat të keq, ka humbur kuptimin e vet sportiv.
Në vend të analizave për formacione e strategji, dëgjojmë diskutime për “ndjenja patriotike”, “provokime të mundshme” dhe “qëndrime kombëtare”.
Sepse në këtë duel, goli peshon më pak se gjesti.
Nesër: një ndeshje apo një episod i ri historik?
Në letër, është futboll.
Në realitet, është një test nervash kombëtare.
Sepse në Ballkan, asgjë nuk është thjesht sport.
Një faull mund të quhet “incident”, një pankartë “provokim ndërkombëtar”, e një flamur… mund të ndizë një krizë të vogël diplomatike.
Në fund të fundit, nesër Serbia dhe Shqipëria do të luajnë për tri pikë –
por ajo që kërkon secila palë është diçka më e madhe:
pak hakmarrje historike, shumë krenari kombëtare, dhe një mundësi për ta bërë politikën të duket… si lojë fëmijësh.




0 Comments