Historia e mashtrimit me Qiellgërvishtësin më të vogël në botë!

Besoni ose jo, por një “rrokaqiell” vetëm 12 metra i lartë ka hyrë në histori si një nga mashtrimet më të mëdha të pasurive të paluajtshme. Ndodhet në Wichita Falls, Teksas, dhe është ndërtuar në vitin 1919.
Ndërtesa, e quajtur me humor “The Littlest Skyscraper”, ka vetëm katër kate dhe një bazë prej rreth 10 me 16 metrash. Sot, ajo duket më shumë si një magazinë e lartë sesa një qiellgërvishtës modern – por pas saj fshihet një histori e çuditshme.
Si lindi mashtrimi?
Në fillim të viteve 1900, Wichita Falls po përjetonte një BUM nafte, që solli me vete miliona dollarë investime dhe etje për zhvillim. Një biznesmen lokal paraqiti projektin e një “qiellgërvishtësi” madhështor për të tërhequr kapital të ri.
Në dokumentet që ai u tregoi investitorëve, matjet ishin shënuar në inch, jo në feet – një ndryshim i vogël në letër, por katastrofik në praktikë. Investitorët menduan se po financonin një ndërtesë 144 metra të lartë, por në realitet ajo përfundoi vetëm 12 metra.
Kur mashtrimi u zbulua, ishte tepër vonë: paratë ishin marrë, ndërtesa ishte ngritur dhe askush nuk mund të kthente pas kohën.
Nga turp, në atraksion turistik
Pavarësisht se fillimisht u konsiderua një simbol i mashtrimit dhe lakmisë, sot “qiellgërvishtësi më i vogël” është kthyer në një pikë turistike ikonike për qytetin. Vizitorët ndalen për të parë këtë kuriozitet arkitektonik dhe për të dëgjuar historinë e investitorëve që ngatërruan inch me feet – një kujtesë e gjallë se etja për fitim shpesh i verbon edhe më të mençurit.
Dhe ndoshta, më e çuditshmja nga të gjitha: ndërtesa vazhdon të quhet “rrokaqiell”… edhe pse nuk i afrohet aspak qiellit.





0 Comments