Mashtruesi që “shiti” Kullën Eiffel – dhe jo një herë, por dy!

Në një epokë ku mashtrimi ishte një “art” i mirëfilltë, askush nuk e zotëroi më mirë sesa Victor Lustig – një njeri që u përfol si “mashtruesi më i zgjuar që ka njohur ndonjëherë historia”, dhe ka goxha arsye për këtë.
I lindur më 4 janar 1890 në Austro-Hungari, Lustig e kaloi jetën duke bredhur nga Evropa në SHBA, duke lënë pas një gjurmë të gjatë mashtrimesh, falsifikimesh dhe identitetesh të rreme. Por kryevepra e tij kriminale mbetet padyshim mashtrimi me shitjen e Kullës Eiffel – dhe jo një por dy herë.
Një artikull në gazetë… dhe një ide gjeniale
Në vitin 1925, ndërsa ishte në Paris, Lustig lexon një artikull që fliste për kostot e larta të mirëmbajtjes së Kullës Eiffel dhe zërat e përhapur se mund të çmontohej. Për shumicën, ishte thjesht një spekulim gazetaresk. Por për Lustig, ishte një mundësi e artë.
Ai falsifikoi letra zyrtare dhe u paraqit si zyrtar i qeverisë franceze i ngarkuar për shitjen e strukturës prej hekuri si skrap. Me gjithë bindjen dhe elegancën e një diplomati të vërtetë, ai organizoi takime me tregtarë të skrapit, dhe i bindi ata se kjo ishte një marrëveshje sekrete shtetërore që nuk duhej të publikohej.
Njëri prej tyre, i etur për të “kapur” këtë mundësi të rrallë, ra në kurth dhe i dorëzoi një shumë të konsiderueshme parash. Lustig, pa e zgjatur, u zhduk nga Parisi – me paratë në xhep.
Dhe e bëri sërish…
Pasi kuptoi që viktima e tij ishte shumë i turpëruar për ta denoncuar, Lustig vendosi të luante të njëjtin mashtrim edhe një herë tjetër. Dhe me të njëjtën skemë, arriti të mashtrojë sërish. Vetëm pas tentativës së dytë, policia u vu në ndjekje të tij, por ai tashmë ishte zhdukur – drejt Amerikës.
Arratisja drejt SHBA-ve dhe rënia e tij e fundit
Në Shtetet e Bashkuara, Lustig vazhdoi aktivitetin e tij kriminal duke u përfshirë në skema të falsifikimit të parave. Ai u bë aq i zoti në këtë “zanat”, saqë edhe FBI e pati të vështirë ta ndjekë. Por në vitin 1935, agjentët arritën ta arrestonin në Nju Jork.
U shpall fajtor dhe u dënua me 15 vite burg, të cilat do t’i vuante në ishullin famëkeq të Alcatrazit në Kaliforni. Edhe pas hekurave, thuhet se u përpoq të mashtronte gardianët dhe të burgosurit e tjerë.
Më 9 mars 1947, Victor Lustig u sëmur nga pneumonia. Vdiq dy ditë më vonë në një qendër mjekësore për të burgosurit federalë në Springfield, Misuri.
Ironikisht, në certifikatën e tij të vdekjes, në rubrikën “profesioni”, ishte shkruar:
“shitës.”
Ndoshta për herë të parë… pa asnjë gënjeshtër.


0 Comments