Nga idhtar i Noisit, në ‘kryqëzatë’ ndaj tallavasë: “Do ndalojmë muzikën në beach bar-e, boll e stresuat dynjanë!”

Kryeministri Edi Rama, i njohur si simpatizant i muzikës së reperit Noisy duke e bërë atë edhe imazhin kryesor të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 11 Majit, sot është kthyer në kritik të zëshëm të “kaosit akustik” që shkakton “Tallavaja” dhe muzika me volum të lartë në plazhet shqiptare.
“Ne do ta ndalojmë muzikën! Nuk do të ketë më muzikë në beach bar-e. Do bëjmë edhe një ridimensionim të numri të beach bar-eve dhe mënyrës se si do lidhen me shërbimin në tërësi”, deklaroi ai në eventin Shqipëria Turistike 2030, duke shpallur fundin e festave të natës brenda zonave të banuara.
Një tjetër element që duhet parë përfundimisht është zhurma, muzika, tallavaja e beach bar-eve të vendosura jo për të shërbyer, por për të stresuar të gjithë dynjanë. Zona të tëra të banuara, ku 99% e pushuesve nuk janë prezent në ato beach bar-e, 99.9 duhet të vuaj ngritjen e muzikës në kup të qiellit.
Kreu i qeverisë e bëri të qartë se muzika do të lejohet vetëm gjatë orëve të ditës në plazh, por pas orarit të plazhit, muzika duhet të ndalet plotësisht.
“Kush do të dëgjojë muzikë deri në 5 të mëngjesit, duhet ta ofrojë në zona ku nuk është i gjithë qyteti që duhet të dëgjojë jehonën”, shtoi ai.
Rama ironizoi situatën aktuale në bregdet, duke e krahasuar me një kaos akustik pa fund:
“Se u habitëm fare! Hap e beach bar, dhe nga beach bar-i në beach bar, është si ta kalosh historinë e rock e roll me një volum konkurrues. Këtej të bërtet Metallica, nga mbrapa të gjëmon ndonjë tjetër…”.
👉 Deklaratat e Ramës ndezin një debat të madh: a është kjo fundi i “natës pa gjumë” në bregdet, apo një tjetër përpjekje për të kontrolluar jetën e natës në Shqipëri?




0 Comments